Debati si formë e zhvillimit intelektual të nxënësve

Data e Publikimit 25.02.2019
Nga Dren Gërbeshi

Më 14 shkurt, me mbështetjen e stafit të programit ASSET të USAID-it dhe në partneritet me kolegjin Riinvest, në hapësirat e gjimnazit “Xhevdet Doda” në Prishtinë, nxënësit, të vetëorganizuar, shumë nga të cilët janë anëtarë aktivë në Klubin e Karrierës organizuan dhe kryen me sukses një debat formal bazuar në formatin e British Parliament. Në kohën kur stafi i ASSET kishte arritur në hapësirat e vendtakimit, bankat, ulëset dhe pajisjet tjera të nevojshme tanimë ishin të rregulluara për debat.

Derisa shumica e nxënësve ishin të klasës së 11-të, disa nga ta ishin edhe në klasën e 10-të, por kjo nuk e zbehu aspak entuziazmin e tyre. Në mënyrë që të ruajnë rëndësinë e aktivitetit, nxënësit kishin zgjedhur tema shumë koherente bazuar në rrethanat të cilat ndikojnë drejtpërdrejtë ose tërthorazi në të ardhmen e tyre. Për të sfiduar mendimin e tyre kritik, ata zgjodhën një temë mjaft tërheqëse: Nëse Universiteti i Prishtinës duhet të kufizojë numrin e kandidatëve potencialë në drejtimet që nuk gjenerojnë vende të reja të punës.

Gjykatësit, ish nxënës të gjimnazit “Xhevdet Doda”, ishin shumë të vëmendshëm gjatë vëzhgimit të performancës së nxënësve. Gjykimi përfundimtar i tyre u prit mirë dhe ishte inkurajues. Marrë parasysh mungesën e përvojës në debat formal te disa nxënës, performanca e tyre ishte e shkëlqyeshme, duke treguar që këto aktivitete në të vërtetë mund të rrisin dhe vënë në dukje shkathtësitë e tyre të buta. Në pyetjen nëse aktivitetet në Klubin e Karrierës do të kontribuojnë pozitivisht në të ardhmen e tyre dhe në zhvillimin personal një pjesëmarrës deklaroi:

Po, pa dyshin që po, sepse ato do të na ndihmojnë në përvetësimin e shkathtësive tona profesionale. Ato edhe ndihmojnë që t’i përdorim në profesionet tona. Pa shkathtësitë e buta, vështirë që mund t’i fitojmë shkathtësitë profesionale- tha Amina Kaja, nxënësr pjesëmarrëse në debat. Debati është organizuar nga Klubi i Karrierës i gjimnazit Xhevdet Doda, i themeluar me ndihmën e Programit ASSET të USAID-it dhe që menaxhohet nga nxënësit e shkollës në bashkëpunim me mësimdhënës, me qëllim të informimit të nxënësve mbi karrierën, ofrimit të mundësive për punë praktike në kompani të ndryshme dhe për të përfituar shkathtësitë e nevojshme për jetë dhe punë.

Klubi i Karrierës në shkollën Xhevdet Doda është njëra ndër mundësitë më të mira që neve na jepen si nxënës për aktivitete jashtëkurrikulare, që ndikojnë në zhvillimin tonë në një mënyrë më ndryshe, më argëtuese tha Leart Bytyqi, nxënës nga Gjimnazi “Xhevdet Doda”.

Programi “Përkrahje të Rinjve pas Mësimit të Rregullt”-ASSET promovon zhvillimin e shkathtësive për jetë dhe punë tek të rinjtë. Programi ka identifikuar dhjetë shkathtësi të buta që i kontrobuojnë qëllimit të Programit në përgatitjen e të rinjve për jetë dhe punë në shekullin 21: të menduarit kritik, komunikimi, zgjidhja e problemeve, kreativiteti, inteligjenca emocionale, ndërgjegjshmëria, këmbëngulësia, puna ekipore, shkathtësia e hulumtimit dhe shkathtësia e ndërmarrësisë.